LETËRSI

POEZI, TREGIME, ESE

Xhorxh Gordon Bajron - Poezi


Xhorxh Gordon Bajron
Nga ''Shtegtimi i Çajld Haroldit''(*)

Lamtumirë, Atdheu im

O lamtumirë! Atdheu im
Po zhduket dalngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim,
Çaçri gërhet mbi valë;
Pas diellit që po flakëron,
Po nisemi të lirë;
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!

Kur nesër rishtaz ai diell
Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell
Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
Nëpër avllit' e forta
Të kullës sime rritet bar,
Im qen po leh te porta.

"Ti pazh i vogël, pa m'u qas!
Pse qan e po vajton?
Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron?
Pa fshiji lotët; anija jonë
E shpejtë është dhe e fortë:
Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë".

"Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë;
Prej babës e prej nënës ik,
U ndava prej shtëpisë;
Tani s'më mbetet asnjë mik,
Veç teje e perëndisë.

T'im at' e pashë që duron,
Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush m'a ngushullon
Gjer sa të kthehem gjallë!"-
"Pusho, pusho ti djal' i mirë!
Të kanë hije lott;
Po të isha vetë zemërdlirë,
Nuk do t'i mbaja dot.

"M'u qas, m'u qas, ti trim besnik;
Përse më qenke zverdhur?
Mos trembesh nga një frëng armik,
Apo nga det' i ndezur?" -
"Sër Çajld, nuk jam aq frikacak.
As zverdhur jam prej frike;
Po kur kujtova gruan larg
M'u zbeh faqja besnike.

Rron ime shoqe me tim bijë
Në kullë te këneta:
Nd'e pyeçin ç'u bë babai,
Ç't'u thotë nënë-shkreta?" -
"Pusho, trimi im, të mora vesh,
Ta njoha brengën tënde;
Por unë zemërlehti qesh
Që shkoj nga këta vënde".

Kush u beson psherëtimave
Të femrës që mbush sytë?
Ia than lotët qepallave
Ndonjë dashnor i dytë.
S'qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
Po vetëm qaj se nuk lë pas
Asnjë që lotn' e vlen.

Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi;
Përse të qaj pra për të tjerë-
Për mua s'qau njeri.
Do t'angullijë ndoshta sot
Im qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot;
N' u kthefsha do më shqejë.

Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo
Në detin plot buçim;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo në vendin tim!
Të falem det i kaltr' i zi!
Dhe kur të shkel i lirë
Në dhé, të falem, shkretëti!
Atdhe, Natën e Mirë!



George Gordon Byron

Kenga e Medores (nga poema "Korsari")

Ne zemren time kam dicka te fshehte
Ate ne bote nuk ma di njeri;
Kur jemi tok, lulzon si lulja vete
Por hesht serish ne terr, kur iken ti.

Nje fill i arte shpirtit m’i jep drite
Po rrezet nuk i shihen dot me sy
Ate mbi dhe s’ka force ta venite
Se erresira nuk arrin aty

Oh, dhe ne vdeksha, sillme neper mendje
Kujtoje miken qe te desh me zjarr
Sa ta duroj, e mjera, s’jam ne gjendje
Harrimin tend, i dashur, as ne varr!

Nje amanet plotesoma, po te mundesh
Se nuk do te te lutem perseri
“Nje pikez lot, te parin e te fundit,
Per dashurine time derdh ti!”

Alexander Pushkin- PoeziKenga e Deshperuar! - Neruda.

Comments

Besart Dabiqajdabiqaj Saturday, January 29, 2011 11:17:43 PM

keto vargjet nga "Xhorxh Gordon Bajron", Lamtumirë, Atdheu im me duket qe ju ngjajne shum vargjeve te Gjergj Fishtes "Lamtumire" apo jo?!

Write a comment

New comments have been disabled for this post.