LETËRSI

POEZI, TREGIME, ESE

Me lirikat e Lulzim Hazirit-DALJA NGA SAFARI

Nuk më lënë ta puth dyshimin në ballë

I.

Kur mbrëmja ulet këmbëkryq dhe kur dritat i çelin sytë
Hedh setrën e zhgënjimit krahëve të mërdhirë
Për dore marr vetminë e qes të shëtitë
Me shokët përfalem ftohtas në heshtje me shikim
Rrugët më zgjerohen para syve më shtohen (pikë) pamjet
Kur sodit nën këndin e drejtë a ndihem i qetë
Qepallat pulit pa ndarë pluhuri i mërzisë të mos më hyj në sy
Me xhelozinë e njelmët kërkoj biseda pa shije
Kur qeshem me zor kur zbardh dhëmbët e ironisë
A ndihem i huaj i vetmuar si cinik


II.

Më thanë se do të ha me lugë të artë
Premtuesve duhet t’ju kujtoj premtimet
A duhet t’u nxirren sytë si ushtarëve të Samuilit
Apo do t’i nxjerrin vetë si Edipi
Dënimin postieri e la në adresë të gabuar
Më mirë ta flak mbamendjen të vë sytë e deles
Gjellën ta ha me dorë me lugë druri
Sytë më mashtrojnë
Goja fjalët i gabon
Apo shtirem i tillë
Nuk më lënë ta puth dyshimin në ballë


III.

Qyteti është punëtor krahu që fle pa larë sytë
Ta lëmë të flejë i lodhur i pluhurosur në fytyrë
Trotuaret le t’i ruajnë puthjet të freskëta tërë natën
Shiritin e natës duhet ta lëmë deri në mëngjes të incizojë
E t’i dëgjojmë atëherë ëndrrat me veshët e ngrehur pip
Bisedat e dehura me erë shqetësimi kryeneç
Duke e pirë kafenë e mëngjesit
Të dyshojmë në sinqeritetin e pëshpëritjeve
Të folurit e përgjumur le të na shtjerë të mendojmë e dyshojmë
Pastruesit e rrugëve le të na shlyejnë shiritin në mëngjes
Ka lezet ta shohësh qytetin pa larë sytë
Atëherë me pagjumësinë e mëngjesit njësohem me të
Rritem bëhem i madh sa rrokaqielli
Që nga dhembja e mbrëmshme lidhi kryet me mahramë
Rrugët do larë kur njerëzit shkojnë në punë
Dielli të reflektohet nga pasqyra e zezë
Të më hyjnë në sy
Kurmin e lodhur të ma ndritë


IV.

Bëhem dhomë e ndritur plot orendi
Të vjetra sa mendimi të shtrenjta


V.

Ditë e mirë është kur zgjohem në jastëk flokësh
Ditë e mirë është kur zgjohem në drekë
Ditë e mirë është kur nuk blej gazetë
Ditë e mirë është kur pi kafe ekspres
Ditë e mirë është kur s’i laj sytë në mëngjes
Ditë e mirë është kur kam cilës t’i pëshpërit në vesh
Ditë e mirë është kur lë gjurmë në borë të pashkelur më parë
Ditë e mirë është kur nuk kamë çfarë të pres
Ditë e mirë është kur kam çfarë të them e s’e them dot
Ditë e mirë është kur gjej groteskun në natyrë
Ditë e mirë është kur s’kam kë ta tall
Ditë e mirë është kur i bishtëroj rreshtit për në të nesërmen
Ditë e mirë është kur nuk më japin asnjë lëvdatë
Ditë e mirë është kur sodit i qetë vesën në merimangë
Ditë e mirë është kur asnjë hije nuk më ndjek
Ditë e mirë është kur shkruaj ndonjë nokturno pastaj bie të fle
Ditë e mirë është kur shikoj qytetin me sytë e të papunit
Ditë e mirë është kur të shëmtuarës i buzëqesh ndër sy
Ditë e mirë është kur kënaqem me veten i shtrirë
Ditë e mirë është kur zgjohem lakuriq
Nga trupi e turpi
Lakuriq si Shpresa

VI.

Nuk më mban ky qytet i tillë siç jam i mrrolur i ftohtë
Kur eci rrugës e vij nën llambë ajo fiket
Kodrës së Diellit kur ngjitem të shikoj Qytetin ai tretet
Të iki nga këtu prej këtij qielli asfalt futë
Ku më parë gjen ndonjë iluzion se para të humbur
T’i kthehem natyrës të shkoj në bjeshkë
Të mos e marr me vete përditshmërinë urbane
Përsëritjen marramendëse ciklike të fjalëve gumëzhitëse
Të shoh si çelin lulet gjethi si zverdhet
A pendohet para se të bjerë në tokë lotin a e lëshon

(sa bukur tingëllon ky mashtrim)
Apo të mbyllem në dhomat e artit labirint
Me laps të mprehur të bëj bukurshkrim
Sytë e përgjumur të bëhen më të pasur për një ditë

VII.

Të mashtruar të ngrirë të verbuar
Këmbëzbathur kryeshtruar sykulluar
Përkrah vrapuam gjatë
Rrugës së drejtë të ndjenjave
Fusha e gjerë krahëhapur
Na priti si fëmijët e vet
Që janë vonuar 1001 vjet

Fusha u bë sy e vesh
Dëgjonte trillimet për ngjyrat
Për ëndrrat e harruara
Fshehurazi na shtronte shtratin
Buzë ndonjë lumi dredharak që derdhej diku larg
Nga pagjumësia nuhatnim lëngjet jetëdhënëse
Fiq të kuqërremtë haja për drekë

Këtu koha nuk matet me orë
Po me hijet që zgjaten e shkurtohen

Hëna rreth vetes yjet kur i mblodhi
Rreth zjarrit kënduam këngën e mërzisë
Yjet e fatit na pikuan në pëllëmbë
Për t’i sjellë nën llambat e neonit
Që loznin me hijet e zgjatura në mur


VIII.

Prej çastit kur Armstrongu u ngjit në hënë
Atëherë kur në TV i pashë gropat e saj
Që mu bënë si shkretëtira nga libri i Historisë
Në vjersha s’e përdora më fjalën hënë
Që e kisha sinonim të së bukurës që shndrit
Fjala humbi bukurinë që më flinte në fletore
Kur soditja nga dritarja e vjetër


IX.

Një ditë më vonë
Vëllezërit e mëdhenj me zemra anemike

Retë dhe tokën nën re
Do t’i plehërojnë me atom
Toka do të rrafshohet deri në paskajësi
Në këtë kaos frika vonon në takim
Kalorësve të tërbuar të apokalipsës
Frerët do t’u rrëshqasin nga duart
Uji tokës do t’i hyjë në palcë
Zogjtë do të na bëhen engjëj
Lajme diellit do t’i dërgojnë

Mbi këtë rrafsh të qullur mitologjik
Një milingonë do të mbijë nga toka
Hapat e saj të vegjël e të shkathët
Do të lënë gjurmë prapa
Një segment deri te njeriu
Që do të shkruajë në rërë gur dru
Pastaj do të shpikë rrotën
Dhe gjithçka do të rrotullohet

Me lirikat e Lulzim Hazirit-DALJA NGA SAFARI

Write a comment

New comments have been disabled for this post.